PERRALLA - 200. BRESHKA DHE SHQIPONJA
Breshka dhe shqiponja
Breshkës i kishte ardhur në majë të hundës jeta e ngadalshme dhe zvarritja e përhershme në tokë me hapin e kërmillit. I kishte zili zogjtë që ngriheshin lart mbi re dhe fluturonin nga kishin dëshirë. Breshka mendonte që, sikur të mundej të ngrihej vetëm një herë në ajër, do të ishte në gjendje të fluturonte po aq mirë sa ata.
Kështu, një ditë i premtoi një shqiponje gjithë thesaret e oqeanit vetëm ta mësonte si të fluturonte. Shqiponja kundërshtoi dhe i tha se dëshira e breshkës për të fluturuar ishte jo vetëm e paarsyeshme, por edhe e pamundur. Mirëpo, breshka nguli këmbë dhe filloi t’i përgjërohej aq shumë sa shqiponja ra në siklet dhe e pranoi të përpiqej një herë.
Kështu shqiponja e ngriti breshkën lart në ajër dhe pastaj e lëshoi duke i thënë:
– Tani, hap këmbët!
Po, para se breshka t’i kthente përgjigje shqiponjës, u rrokullis tatëpjetë, ra mbi një shkëmb e u bë copë-copë.
Kjo fabul na mëson se kush ngul këmbë në diçka të pamundur, shkon drejt shkatërrimit, si rasti i breshkës që deshi të mësonte të fluturonte.