PERRALLA - 199. ARBERESHI I VOGEL
Arbereshi i Vogel
Ditën kur Gjergji shkoi për herë të parë në shkollë, nuk ndjehu asnjë gëzim. Mësuesi foli e foli dhe djali pothuajse s’mori vesh gjë. Ai fliste në një gjuhe që Gjergji nuk e kuptonte.
Gjergji rrinte në bankë, me kokën e mbështetur në te dy duart dhe s’dinte ç’të bënte. Shikonte muret, vërente dritaret, ndiqte lëvizjet e mësuesit. Ora nuk ecte dhe ai ndiente sikur dikush e mbante me zor në klasë.
Mezi priti sa të mbaronte mësimi i ditës së parë. Doli nga shkolla dhe, i mërzitur, u kthye në shtëpi. te porta e vjetër me hark, takoi gjyshin. Gjyshi i përkëdheli kokën dhe e pyeti :
– Hë, Gjergj, si shkove sot në shkollë?
Djali u vrenjt në fytyrë dhe uli sytë. Iu lidh gjuha.
– Ti fol, more trim, ç’më rri kështu? – ngriti zërin gjyshi – Mos të ka rrahur njeri?
-Jo, – u përgjigj djali dhe me sy të përlotur mbështeti kokën pas trupit të gjyshit.
Plaku e vështroi nipin e dëshpëruar dhe i erdhi keq.
– Gjysh, jo, nuk shkoj më në shkollë. Mësuesi flet vetëm Italisht e unë s’kuptoj gjë. Pse, nuk ka shkollë arbërisht?
Gjyshi u mundua të buzëqeshte.
-Dalëngadalë do ta kuptosh çfarë thotë mësuesi. Mos u mërzit, – i tha të nipit – Po më thuaj çfarë mësove sot?
– Thash që unë nuk kuptova asgjë, o gjysh – i tha Gjergji me sy të përlotur – Pse nuk flasim në shkollë siç flasim në shtëpi, siç flet mami, babi, ti gjysh, nëna, dhe xhaxhai?
-Ke të drejtë Gjergj, në shkollë këtu flasin gjuhën e tyre, dhe jo gjuhën tonë. Gjuha jonë është gjuha shqipe.
-Po pse ne flasim ndryshe nga Italianët? – pyeti Gjergji.
-Po ata janë në vendin e tyre o Gjergj, ne jemi të ardhur këtu – ia priti gjyshi.
-Nuk të kuptoj, gjysh – tha Gjergji duke e vështruar në sy.
Gjyshi e mori djalin përdore, dhe bashkë filluan të ecnin në një rrugice të ngushtë, e më pas, drejt një kodre të lartëë. Atje lartë ishte një lis i gjatë degëshumë. Kur arriten atje gjyshi tha:
-Këtu do rrimë dhe do bisedojmë pak. Si thua?
-Mirë. – tha djali.
Pasi plaku erdhi rreth e rrotull lisit e pyeti djalin:
– A ngjitesh dot në majë të lisit, Gjergj?
-Ngjitem, si nuk ngjitem! – tha djali i gëzuar.
Gjyshi nxori nga xhepi një shami të kuqe, dhe i tha djalit ta lidhte këtë shami në majën e këtij lisi të gjatë. Djali u nis gjithë gëzim.Pasi Gjergji arriti majën e lisit, gjyshi i tha ta nxirrte shaminë, dhe ta lidhte fortë. Gjyshi pyeti:
-ç’po bën shamia?
-Asgjë, gjysh.
-A po e valëvit era?
-Po, gjysh.
-Nga po valëvit, nga lindja apo nga përëndimi?
-Nuk e di, gjysh.
Gjyshi priti dhe pastaj tha:
-Nga deti, apo nga toka?
-Nga deti, nga deti…
-Shumë mirë, shiko mirë andej nga deti, dhe zbrit pastaj, mirë?
Gjergji po shikonte, po nuk po kuptonte asgjë. Pasi pa nga deti, ai zbriti poshtëë lisit. Kur u afrua afër gjyshit, gjyshi i tha:
-Dëgjo të thotë një fjalë gjyshi sot, që të mbash mënd deri sa të rrosh. Andej nga deti, ku valëviste shamia e kuqe, është Arbëria. Atje është dheu ynë. Këtu, në Itali, në jemi në vënd të huaj. Para shumë vitesh, gjyshi i gjyshit tim luftoi me Skëndërbeun, kundra turqëve. Kur mbaroi lufta familja e tij erdhi këtu. Kur erdhën, ata ndërtuan vendin e tyre. Ne këndojme dhe qajmë Arbërisht, atë kemi folur të gjithë, prandaj ti nuk kuptove gjë në shkollë sot. Do kuptosh më vonë, se këtu do jetosh. Por mba mënd “Ta kesh për nder që jë arbëresh dhe këtë emër ta mbash lartë”. A ma jep fjalën?
– Po, gjysh, ta jap- tha Gjergji i mallëngjyer.
Dhe pastaj ai ngriti zërin dhe tha:
– Për gjakun e arbërit, do të rroj dhe do të vdes arbëresh…
Gjyshi e puthi në ball, fshiu sytë, dhe ia tha të shkonin në shtëpi tani. Djali shikoi dhë njëherë shaminë e kuqe dhe tha:
-Shamia valëvitet nga Arbëria, që është në anën tjetër të detit, apo jo?
-Po, Gjergj, – tha gjyshi.