Coca-Cola
Coca-Cola, e njohur edhe si Coke, është një pije joalkoolike e gazuar e prodhuar nga Coca-Cola Company.
Emri i pijes vjen nga dy përbërësit origjinal të saj: gjethet koka dhe arrat kola (burim kafeine). Formula aktuale e Coca-Cola mbetet sekrete, ndonëse janë publikuar një numër i madh i recetave dhe rikrijimeve eksperimentale.
Me të njejtin emër shpesh referohet edhe emri i prodhuesit të pijes: Coca-Cola Company.
Historia e origjinës
Coca-Cola u shpik nga farmacisti John Stith Pemberton, 8 maj 1886 në Atlanta. Koloneli John Pemberton i cili u plagos në Luftën Civile Amerikane dhe u bë i varur ndaj morfinës, ndërmori hapat e parë për të gjetur zëvendësues për drogën problematike. Në 1885 në një farmaci në Kolumbus, Gjeorgji ai regjistroi tonikun nervor Pemberton’s French Wine Coca. Toniku i Pembertonit mund të jetë inspiruar nga suksesi i madh i Vin Mariani, një verë koka françezo-korsiane, por receta e Pembertonit si përbërës shtesë kishe edhe arrën afrikane kola – burimi i kafeinës në këtë pije.
Vlen të përmendet se një pije spanjolle e quajtur “Kola Coca” u prezentua në një garë në Filadelfia në 1885, një vit para paraqitjes zyrtare të Coca-Cola. Të drejtat për këtë pije spanjolle u blenë nga Coca-Cola në 1953.
Dizajni i logos
Logo e Coca-Cola u dizajnua nga Frank Mason Robinson, llogaritari i John Pemberton, në 1885. Robinson e zgjodhi emrin e pijes dhe logon me shkrimin dallues kursiv. Stili Spenserian i përdorur në këtë dizajn u zhvillua në mes të shekullit 19 dhe ishte formë mbizotëruese e shkrimit formal në Shtetet e Bashkuara gjatës asaj kohe.
Robinson po ashtu pati rëndësi të madhe në promovimin e hershëm të Coca-Cola. Sugjerimet e tij për Pemberton ishin që të shpërndaheshin qindra kuponë falas dhe të mbushej qyteti i Atlantas me banerë promovues dhe reklama në makina të Coca-Cola-s.
Coca-Cola u akuzua në Egjipt në 1951 për shkak të një konspiracie se llogo e Coca-Cola, kur reflektohet në pasqyrë, lexohet si “Jo Muhamed Jo Mekë” në arabisht.
Forma e shishës
Shishja e Coca-Colës u dizajnua nga dizajnuesi i shisheve Earl R. Dean dhe këshilltari i përgjithshëm i Coca-Colas Harold Hirsch. Në 1915, Coca-Cola Company e përfaqësuar nga këshilltari i përgjithshëm i tyre e lansoi një garë në mes furnizuesve të shisheve për të krijuaj një shishe të re për pijen e tyre që do ta dallonte atë nga shishet e pijeve të tjera, “një shishe të cilën çdokush mund ta dallojë madje edhe nëse e prekin në errësirë, dhe aq mirë e formësuar sa që çdokush mund ta dallojë menjëherë çfarë është edhe nëse është e thyer.”