PERRALLA - 203. DHELPRA E PENDUAR
DHELPRA E PENDUAR
Një ditë, dhelpra u ndje keq. Thirri rreth saj të gjithë dhelpërushët e vet dhe filloi t’iu thoshte me një fill zëri:
– Bijtë e mi, ndoshta erdhi ora e fundit për mua. Ndiej që brenda meje po më bren ndërgjegjja që kam ngrënë aq shumë krijesa të gjora: pula, rosa, pata, gjela deti…
Sa shumë viktima të shkreta vetëm nga dinakëria ime!
Në atë moment u dëgjua kënga e një pule. Dhelpra pati një fërgëllimë dhe mbylli sytë. Dhelpërushët patën frikë se mos nëna e tyre ishte në prag të vdekjes dhe u shtrënguan rreth saj.
Kënga e pulës u dëgjua prapë, akoma më afër. Dhelpra pati një fërgëllime tjetër, por kësaj radhe u pasua nga hapja e syve.
Sytë i dukeshin të gjallë dhe i shkëlqenin, shumë më ndryshe nga sytë e dhelprës në agoni. Në fakt, e sëmura e gjorë kërceu përpjetë dhe u ul buzë shtratit.
– Ja se çfarë më duhet që të çlirohem nga të gjitha makthet!
Dhe u lumturua e gjitha kur pa dhelpërushët të dilnin nga strofka për t’u kthyer pas një minute me pulën gati si… ilaç për mamushin e tyre.
Është mirë të mos i besosh shumë pendimit të të këqijve.