Feja natyrore
Feja natyrore është një shprehje e cila nënkupton “fenë e natyrës“, në të cilën Perëndia, fryma, shpirtrat dhe të gjitha objektet e mbinatyrshme konsiderohen si pjesë e natyrës dhe jo të ndara prej saj. Shprehja përdoret gjithashtu edhe në filozofi, më konkretisht, filozofia katolike romake, e përdorë për të përshkruar disa aspekte të fesë për të cilat thuhet se janë të njohura përveç shpalljes hyjnore përmes logjikës dhe arsyes (shiko teologjinë natyrore dhe deizmin), për shembull, ekzistencën e lëvizësit të palëvizshëm, shkaku i parë i universit.
Përmbledhje
Shumica e autorëve e konsiderojnë fenë natyrore jo vetëm si themelin e feve monoteiste, siç janë judaizmi, krishterimi dhe islami, por edhe si një lloj religjioni i dallueshëm prej tyre. Sipas disa autorëve, aspektet e fesë natyrore gjenden në mënyrë universale midis të gjithë popujve, shpesh në forma të tilla si shamanizmi dhe animizmi dhe që akoma vazhdojnë të praktikohen në shumë pjesë të botës. Besimet tradicionale fetare të shoqërive autoktone amerikane për shembull konsiderohen se posedojnë disa aspekte të fesë natyrore.
Parimet themelore të fesë natyrore fillimisht u përshkruan nga Aristoteli, hilomorfizmi i të cilit i konsideronte të gjitha gjërat si të krijuara nga materia dhe forma. Forma e të gjitha gjallesave është shpirti, i cili udhëzon dhe drejton zhvillimin e tyre. Shumë besime fetare natyrale e konsiderojnë Zotin si “shpirtin e universit”. Madje edhe monoteizmi i hershëm kishte shumë elemente natyraliste. Parajsa dhe ferri konsideroheshin vende fizike mbi dhe nën tokë. “Shpëtimi” konsiderohej ringjallja e trupit. Më vonë me probleme të fesë natyrore janë marrur edhe Agostini, Tomas Akuinas, Nicolas Malebranche, David Hume, William James, Rupert Sheldrake, etj.