Natyra
Natyra paraqet tërësinë e karakteristikave më kryesore që përcaktojnë thelbin e diçkaje e që në kuptimin më të gjerë ajo përfshin jo vetëm mjedisin ku jetojnë njerëzit, kafshët dhe bimët, por edhe gjithë botën organike dhe joorganike, fizike ose botën materiale apo gjithësinë. “Natyra” është një term që mund të përfshijë si dukuritë e botës fizike ashtu edhe jetën në përgjithësi. Studimi i totalitetit të natyrës është një pjesë e madhe e shkencës. Edhe pse njerëzit janë pjesë e natyrës, aktiviteti njerëzor shpesh kuptohet si një kategori e veçantë nga dukuritë e tjera natyrore.
Përmbledhje
Fjala natyrë rrjedh nga fjala latine natura, që do të thotë “cilësi thelbësore, prirje e lindur” dhe në kohët e lashta, në kuptimin e plotë të fjalës, ishte “lindje”. Natura është përkthimi latin i fjalës greke physis (φύσις), e cila fillimisht lidhej me karakteristikat e brendshme të bimëve, kafshëve dhe karakteristikave të tjera të botës që zhvillohen me vullnetin e tyre. Koncepti për natyrën si një tërësi, gjithësia fizike, është një nga disa zgjerime të idesë origjinale; ajo filloi me aplikime themelore të caktuara të fjalës fyzis – φύσις nga filozofët parasokratik dhe që atëherë është zgjeruar dhe zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme. Ky përdorim ka vazhduar sidomos pas paraqitjes së metodave shkencore moderne në disa shekuj të fundit.
Sot, përbrenda përdorimeve të ndryshme të fjalës, “natyrë” shpesh nënkuptohet edhe gjeologjia dhe kafshët e egra. Natyra mund të përfshijë edhe mbretërinë e përgjithshme të kafshëve (faunës) dhe bimëve ekzistuese (florës) dhe në disa raste edhe të proceseve që ndërlidhen me objektet e pajeta – mënyra se si llojet e veçanta të gjërave ekzistojnë dhe ndryshojnë me vullnetin e tyre, të tilla si moti dhe Gjeologjia e Tokës. Shpesh ka kuptimin edhe të “mjedisit natyror” ose vendit të shkretë/shkretëtirës, kafshëve të egra, shkëmbinjve, pyjeve dhe në përgjithësi ato gjëra që në thelb nuk kanë ndryshuar nga ndërhyrjet e njeriut, ose që vazhdojnë pavarësisht ndërhyrjeve të njeriut. Për shembull, objektet e prodhuara në mënyrë artificiale dhe ndërveprimi njerëzor në përgjithësi nuk konsiderohen pjesë e natyrës, përveç rasteve kur kualifikohet si i tillë, për shembull, “natyra njerëzore“. Ky koncept më tradicional i gjërave natyrore të cilat ende mund të gjenden sot paraqet një dallim midis asaj që konsiderohet natyrore dhe artificiale, e ku me të qenët artificial nënkuptohet si diçka që është rezultat i vetëdijes njerëzore ose mendjes njerëzore.
Toka
Toka është planeti i vetëm që njihet për mbështetjen e jetës, prandaj karakteristikat natyrore të saj janë subjekt i shumë fushave të hulumtimeve shkencore. Toka si planet brenda sistemit diellor është e treta më afër Diellit, është planeti më i madh tokësor dhe i pesti në përgjithësi. Karakteristikat e saj më të njohura klimatike janë dy rajonet e saj të mëdha polare, dy zona relativisht të ngushta, dhe një rajon i gjerë ekuatorial, tropikal deri në subtropikal. Reshjet ndryshojnë gjerësisht sipas vendit, nga disa metra ujë në vit deri më pak se një milimetër. 71 për qind e sipërfaqes së Tokës është e mbuluar nga oqeane me ujë të kripur. Pjesa e mbetur përbëhet nga kontinentet dhe ishujt me shumicën e vendeve të banuara në hemisferën veriore.
Perspektiva historike
Toka vlerësohet të jetë formuar 4.54 miliardë vjet më parë nga mjegullnaja diellore, së bashku me Diellin dhe planetët e tjerë. Hëna u formua afërsisht 20 milion vjet më vonë. Fillimisht e shkrirë, shtresa e jashtme e Tokës është ftohur, duke rezultuar në kore të ngurta. Aktiviteti i çlirimit të materialit vullkanik prodhoi atmosferën fillestare. Kondensimi i avullit të ujit, ku pjesa më e madhe ose i gjithi vinte nga akulli i kometave, nga i cili u krijuan oqeanet dhe burimet e tjera të ujit. Kimia shumë energjike besohet të ketë prodhuar një molekulë të vetëpërsëritur rreth 4 miliardë vjet më parë.
Atmosfera, klima, dhe moti
Atmosfera e Tokës është një faktor kyç në ruajtjen e ekosistemeve. Shtresa e hollë e gazrave që mbulon Tokën mbahet në vend nga graviteti. Pjesa më e madhe e ajrit është azot, oksigjen, avull uji, me një sasi shumë të vogël dioksidit të karbonit, argon, etj. Shtresa e ozonit luan një rol të rëndësishëm duke penguar sasinë e rrezatimit ultraviolet (UV) që të arrijë në sipërfaqen e Tokës. Pasi që ADN dëmtohet lehtë nga drita UV, kjo shtresë shërben për të mbrojtjen e jetës në sipërfaqe. Atmosfera gjithashtu ruan ngrohtësinë gjatë natës, duke zvogëluar atë gjatë ekstremeve të temperaturës ditore.
Moti tokësor ndodh pothuajse ekskluzivisht në pjesën e poshtme të atmosferës, dhe shërben si një sistem konvektiv për rishpërndarjen e nxehtësisë.
Uji në Tokë
Uji në Tokë në formën e tij të pastër, është lëng pa shije dhe pa erë e po ashtu nuk ka ngjyrë. Ai është i domosdoshëm për të gjitha format e jetës dhe njihet edhe si tretësi më i gjithanshëm. Pa të, jeta siç e njohim ne, do të ishte e pamundur. Duket i pangjyrë në sasi të vogla për syrin tonë, megjithatë mund të shihet si i kaltër në sasi të mëdha ose me vegla shkencore. Uji është lëngu më i përhapur në tokë. Formula kimike e tij është H2O. Gjendet më tepër në oqeane dhe kësulat e akullta polare, por edhe në re, lumenj. Në planetin tonë, uji është në lëvizje të vazhdueshme qarkulluese duke përfshirë avullimin, reshjet dhe rrjedhjet lumore.
Ekosistemet
Ekosistemet përbëhen nga një larmi përbërësish biotikë dhe abiotikë që funksionojnë në një mënyrë të ndërlidhur. Struktura dhe përbërja përcaktohet nga faktorë të ndryshëm mjedisorë që ndërlidhen. Variacionet e këtyre faktorëve do të iniciojnë modifikime dinamike në ekosistem. Disa nga përbërësit më të rëndësishëm janë toka (pedosfera), atmosfera, rrezatimi nga Dielli, uji dhe organizmat e gjallë.
Çështje thelbësore për konceptin e ekosistemit është ideja që organizmat e gjallë bashkëveprojnë me çdo element tjetër në mjedisin e tyre lokal. Eugene Odum, një themeluese e ekologjisë, mes tjerash shtoi: “Çdo njësi që përfshin të gjithë organizmat (d.m.th:” komunitetin “) në një zonë të caktuar duke bashkëvepruar me mjedisin fizik në mënyrë që një rrjedhë e energjisë të çojë në strukturë të përcaktuar qartë, diversiteti biotik, dhe ciklet e materialit (dmth: shkëmbimi i materialeve midis pjesëve të gjalla dhe jo të gjalla) brenda sistemit është një ekosistem.” Brenda ekosistemit, speciet janë të ndërlidhura dhe në zinxhirin ushqimor varen nga njëra-tjetra, duke shkëmbyer energji dhe materie midis tyre, si dhe me mjedisin e tyre. Koncepti i ekosistemit njerëzor bazohet në dikotominë njerëzore / natyrore dhe idenë se të gjitha speciet janë të varura ekologjikisht nga njëra-tjetra, si dhe me përbërësit abiotikë të biotopit të tyre.
Një njësi më e vogël e ekosistemit quhet mikroekosistem. Për shembull, një mikrosistem mund të jetë një gur dhe gjithë jeta e mundshme nën të. Një njësi më e madhe e ekosistemit quhet makroekosistem e që mund të përfshijë një ekoregjion të tërë, p.sh. një lumë me pellgun e tij të ujëmbledhjes (kullimit).
Jeta
Edhe pse nuk ka ndonjë marrëveshje universale për përcaktimin e jetës, shkencëtarët përgjithësisht pranojnë se manifestimi biologjik i jetës karakterizohet nga organizmi, metabolizmi, rritja, adaptimi, përgjigja ndaj stimujve dhe riprodhimi. Jeta gjithashtu mund të thuhet se është thjesht gjendja karakteristike e organizmave.
Biosfera është pjesë e guaskës së jashtme të Tokës – përfshirë tokën, shkëmbinjtë sipërfaqësorë, ujin, ajrin dhe atmosferën – brenda së cilës ndodh jeta, dhe ku proceset biologjike kthehen ose ndryshojnë. Nga këndvështrimi më i gjerë gjeofiziologjik, biosfera është sistemi ekologjik global që integron të gjitha qeniet e gjalla dhe marrëdhëniet e tyre, përfshirë ndërveprimin e tyre me elementët e litosferës (shkëmbinjve), hidrosferës (ujit) dhe atmosferës (ajrit). E gjithë Toka përmban mbi 75 miliardë ton biomasë (150 trilion paund ose rreth 6.8 x 1013 kg jetë), e cila gjendet (jeton) në mjedise të ndryshme brenda biosferës.
Mbi nëntë të dhjetat e biomasës totale në Tokë e përbën bota bimore (flora), në të cilën jeta e kafshëve (fauna) varet shumë nga ekzistenca e saj. Më shumë se 2 milion specie të botës bimore dhe shtazore janë identifikuar deri më sot, dhe vlerësimet e numrit aktual të specieve ekzistuese variojnë nga disa milion deri në mbi 50 milion. Numri i specieve individuale të botës bimore dhe shtazore është vazhdimisht në një farë shkalle, me shfaqje të specieve të reja dhe specie të tjera që pushojnë së ekzistuari në mënyrë të vazhdueshme. Aktualisht numri i përgjithshëm i specieve është në rënie të shpejtë.
Materia dhe energjia
Disa fusha të shkencës e shohin natyrën si materie në lëvizje, duke iu bindur ligjeve të caktuara të natyrës të cilat shkenca kërkon ti kuptojë. Për këtë arsye, shkenca themelore përgjithësisht kuptohet të jetë “fizika” – emër me të cilin ende mund të quhet kuptimi dhe “studimi i natyrës”.
Materia zakonisht përcaktohet si substancë nga e cila përbëhen objektet fizike. Ajo përbën universin e vëzhguar. Përbërësit e dukshëm të universit besohet se përbëjnë vetëm 4.9 përqind të masës totale. Pjesa tjetër besohet se përbëhet nga 26.8 përqind lëndë e errët e ftohtë dhe 68.3 përqind energji e errët. Rregullimi i saktë i këtyre përbërësve është ende i panjohur dhe është nën hulumtim intensiv nga fizikanët.
Sjellja e materies dhe energjisë në të gjithë universin e vëzhguar duket se ndjek ligje fizike të përcaktuara mirë. Këto ligje janë përdorur për të prodhuar modele kozmologjike që shpjegojnë me sukses strukturën dhe evolucionin e universit që mund të vëzhgojmë. Shprehjet matematikore të ligjeve të fizikës përdorin një grup prej njëzet konstantesh fizike që duket se janë statike në të gjithë universin e vëzhguar. Vlerat e këtyre konstantave janë matur me kujdes, por arsyeja e vlerave të tyre specifike mbetet një mister.
Njeriu dhe natyra
Njeriu dhe natyra ndërlidhen shumë me njeri tjetrin. Aty ku ka natyrë, ka edhe njerëz. Njeriu ndryshon mjedisin natyror duke e kthyer atë në një mjedis artificial. Aktiviteti i njeriut kundrejt natyrës po rritet me ritme alarmuese dhe kjo gjë vë në rrezik këtë të fundit, natyrën. Megjithëse njerëzit përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të biomasës së gjallë në botë, ndikimi i njerëzve në natyrë është disproporcionalisht shumë më i madh. Për shkak të gamës së ndikimit njerëzor, kufijtë midis atyre që konsiderojmë ambiente natyrale dhe artificiale janë të paqarta. Madhësia e sipërfaqeve të mjedisit natyror që nuk preket nga njerëzit me një ritëm shumë të shpejtë po shkon drejt zvogëlimit. Teknologjia e zhvilluar nga njerëzit ka çuar në përdorim më të madh të burimeve natyrore dhe ka ndihmuar në zbutjen e disa prej rreziqeve të paraqitura nga fatkeqësitë natyrore. Sidoqoftë, përkundër këtij përparimi, fati i civilizimit njerëzor mbetet i lidhur ngushtë me ndryshimet në mjedis. Ekziston një lidhje e reagimit shumë kompleks midis përdorimit të teknologjisë së përparuar dhe ndryshimeve mjedisore e klimatike që po shfaqen.
Kërcënimet ndaj Tokës nga njerëzit janë ndotja, shpyllëzimi dhe katastrofat e ndryshme natyrore (derdhjet e naftës, etj.). Njerëzit kanë kontribuar në zhdukjen e shumë bimëve dhe kafshëve. Njerëzit e përdorin natyrën për rekreacion dhe aktivitete ekonomike. Përdorimi i burimeve natyrore për industrinë mbetet njëra ndër komponentet kryesore të sistemit ekonomik botëror. Disa aktivitete të tilla si gjuetia dhe peshkimi përdoren si për ushqim ashtu edhe për rekreacion nga njerëz të ndryshëm. Bujqësia u shfaq në mijëvjeçarin IX p.e.s. Qoftë në fushën e prodhimit të ushqimit apo energjisë, natyra ndikon shumë në pasurinë ekonomike.
Pastrimi i sipërfaqeve të mëdha të tokës bujqësore ka çuar në një ulje të konsiderueshme të pyjeve dhe kënetave, gjë që ka rezultuar në humbjen e habitatit për shumë specie bimore dhe shtazore dhe shfaqjen e erozionit të lartë.
Përtej Tokës
Hapësira e jashtme kozmike e njohur si gjithësia i referohet rajoneve relativisht të zbrazëta të universit jashtë atmosferave të trupave qiellorë. Hapësira e jashtme përdoret për ta dalluar atë nga hapësira ajrore atmosferike. Nuk ka asnjë kufi të veçantë midis atmosferës së Tokës dhe hapësirës së jashtme, pasi atmosfera gradualisht zbutet me rritjen e lartësisë. Hapësira e jashtme brenda sistemit diellor quhet hapësirë ndërplanetare, e cila ndodhet në hapësirën ndëryjore në atë që njihet si heliopazë.
Hapësira e jashtme është e mbushur me disa dhjetëra lloje të rralla të molekulave organike të zbuluara deri më sot nga spektroskopia mikrovalore, rrezatimi i sfondit të zi të mbetur nga Big Bangu dhe origjina e universit, si dhe rrezet kozmike, të cilat përfshijnë bërthamat atomike të jonizuara dhe grimcat e ndryshme nënatomike. Ekzistojnë gjithashtu gazra, plazma, pluhur dhe meteorë të vegjël. Për më tepër, sot ekzistojnë shenja të jetës njerëzore në hapësirën e jashtme, siç janë materiali i mbetur nga lëshimet e mëparshme të anijeve kozmike me dhe pa pilot të cilat janë një rrezik i mundshëm për anijet e tjera kozmike. Disa nga këto mbeturina hyjnë në atmosferë në mënyrë periodike.
Megjithëse Toka është trupi i vetëm qiellor brenda sistemit diellor që dihet për ekzistencën e jetës, provat sugjerojnë se në të kaluarën e largët planeti Mars posedonte vende me ujë të lëngshëm në sipërfaqe. Për një periudhë të shkurtër në historinë e Marsit, mund të ketë qenë gjithashtu e mundur ekzistenca e jetës. Tani për tani, shumica e ujit të mbetur në Mars është i ngrirë. Nëse jeta ekziston fare në Mars, ka shumë të ngjarë të ndodhet nën sipërfaqen tokësore, ku akoma mund të ekzistojë uji i lëngshëm.