Kurani

Kur’an-i ose Kurani Qerim (arabisht: القرآن al-Qurʾān, “lexim, recitim”) është shkrimi i shenjtë i fesë islame. Kurani është fjala e Zotit (Allahut) e zbritur tek pejgamberi Muhamed Alejhis selam përmes melekut Xhibril.

Historia e tekstit

Para vdekjes së profetit kishte përfunduar mbledhja e shkrimeve, dhe pas rënies në ujdi me të gjithë ata që e kishin ruajtur kuranin si gojarisht (hafizët), ashtu edhe me shkrim, u shkrua vëllimi i parë i kuranit (arabisht مصحف mushaf) pas vdekjes së profetit në vitin 11 pas h. (632 pas Kr.) në kohën e kalifit të parë Abu Bakr-it, për ta ruajtur atë nga humbja ose ngatërrimi me thënie të tjera të profetit. Kalifi i tretë, Uthman ibn Affan-i (644–656), i zhduku këto vëllime të mëparshme të kuranit, që ishin shkruar pjesërisht edhe në dialekte të tjera dhe jo në atë kuraishit (në dialektin e profetit, që do të bëhej më vonë arabishte letrare), duke shkruar Kuranin e vlefshëm deri më sot. Për këtë duhej të dëshmonin për çdo varg e pakta dy meshkuj se e kishin dëgjuar atë direkt nga goja e profetit. Vetëm gjashtë vargje në kuran janë dëshmuar në këtë mënyrë nga vetëm një dëshmitar, nga Zaidi, ish shërbëtori i profetit. Se pse këto varge sot janë në kuran, ka të bëjë me atë që, profeti ka bërë përjashtim duke e pranuar Zaidin si dëshmitar të vetëm, megjithëse duheshin e pakta dy meshkuj si dëshmitarë. Shkrimi arab atëherë nuk kishte akoma zanore dhe as shenja diakritike, me anë të të cilave në gjuhën arabe të sotme bëhet dallim ndërmjet bashkëtingëlloreve përndryshe të njëjta ; prandaj ishte me rëndësi zotërimi gojor i tekstit dhe forma e shkruar shërbente së pari si ndihmë për të mbajturit mend. E pakta pesë kopje u dërguan në MedinëMekkëKufeBasra dhe Damask. Njëkohësisht u dha urdhri të digjen të gjitha shkrimet private të kuranit për të evituar burimet e gabuara në të ardhmen. Më parë mendohej se kopja e dërguar në Medinë, ndodhet sot në Tashkent (Usbekistan) dhe një ekzemplar i dytë ruhet në muzeun Topkapi në Stamboll. Mirëpo të dy këta ekzemplarë janë shkruar në shkrimin kufik, i cili datohet në shekullin e 9-të pas Kr., duke qenë krijuar kështu e pakta 200 vjet pas Muhamedit.

Përkthimi i kuranit

Përkthimi i Kuranit konsiderohet nga teologjia tradicionale islamike si i pamundur, pasi çdo përkthim mbart njëkohësisht edhe një interpretim. Prandaj leximi i kuranit sugjerohet të bëhet në tekstin origjinal arabisht. Disa sufi për shembull besojnë se është më me vlerë po të shohësh shkronjat arabe të tekstit të kuranit, edhe pa ditur arabisht, se sa të lexosh një përkthim të dobët.

Në shqip nuk ka ende përkthime që u përgjigjen kritereve shkencore filologjike dhe historike. Një nga arsyet është vështirësia e tekstit origjinal arab, shumë fjalë të të cilit mund të përkthehen po me shumë variante, gjë që çon në përfundime shumë të ndryshme. Përpjekjet e deritanishme kanë prurë rezultate të pakënaqshme, edhe për shkak të nivelit relativisht të ulët gramatikalo-gjuhësor. Gjithashtu, nga ana e qarqeve teologjike islamike shqiptare në të kaluarën por edhe sot, nuk është ndjekur me vendosmëri të mjaftueshme realizimi i një përkthimi të nivelit serioz, si pasojë e prirjeve të qarqeve konservative me ndikime që të kohës osmane ose të atyre të vendeve të sotme islamike për të favorizuar më tepër përhapjen e versionit në arabisht.

Radhitja e sureve

Emri dhe numri i vargjeve si dhe vendi i zbulesës (Mekka ose Medina) shënohen zakonisht në titullin e sureve. Pas tyre vijon (me përjashtimit të sures 9) çdo herë shprehja hyrëse bismillahi ‘r-rahmani ‘r-rahim : „në emër të Allahut, të të mëshirshmit, të përdëllyesit“, e ashtuquajtura bismala-ja. Kjo shprehje zakonisht nuk llogaritet si varg (me përjashtim të sures hyrëse al-fatiha). Megjithatë në botimin e ahmadijjas numërohet shprehja hyrëse si varg më vete duke shtyrë kështu numërimin e vargjeve pasuese përkatësisht nga një, (psh.: 2:30 → 2:31).

Mënyra e citimit të zakonshëm të kuranit në arabisht është „<emri i sures>, <numri i vargut>“; kurse në botën jo-islamike shënohet zakonisht „kuran, sure <numri i sures>:<numri i vargut>“. Kjo mënyrë citimi është e përhapur edhe në studimet në gjuhën arabe sot.

Radhitja e sotme e sureve në botimin e vitit 1923/1924 të universitetit al-Azhar të Kajros e ka origjinën, sipas mendimit tradicional por shkencërisht të pasigurt, tek redaktimi i kalifit të tretë Uthman ibn Affan-i. Megjithatë literatura bibliografike arabo-islamike edhe deri në fund të shekullit të 10-të, i shënon kodet e sureve në radhitje të ndryshme, një fakt ky që për shumë kritikë, e bën radhitjen e unifikuar që nga koha e profetit Muhamed të duket e dyshimtë. Zbulimet e dorëshkrimeve në xhaminë e madhe të San’as bëjnë të qartë se kodet kuranike të shekullit të parë mysliman (shekulli i 7-të pas Kr.) paraqesin ndryshime të konsiderueshme në ortografinë, formulimin dhe radhitjen e sureve.

Radhitja e sureve nuk orientohet nga përmbajtja por ato janë të radhitura, me përjashtim të sures së parë al-fatiha, sipas gjatësisë së tyre (duke filluar me më të gjatën). Nga përmbajtja shumë sure nuk i përmbahen temës së vetme të përmendur në titull. Surja En-nisa (Gratë), për shembull, përmban në fakt një nga pasazhet e rëndësishme të Kuranit në lidhje me gruan, mirëpo flet përveç kësaj edhe për të drejtën e trashëgimisë si dhe për çështje të përgjithshme besimi.

Mospajtim ka në lidhje me numërimin e vargjeve, prandaj edhe numrat e vargjeve në librat shpesh të pajisur me ornamente artistike, lihen jashtë nga teksti duke u rrethuar me bordurë. Edhe numrat e faqeve janë jashtë tekstit, i cili kufizohet dukshëm prej tyre. Gjithashtu nuk ka konsens për atë nëse bismala-ja vazhdimisht vetëm përsëritet apo quhet çdo herë si varg më vete. Në shumicën e ekzemplarëve numërohet ky varg vetëm herën e parë dhe herët e tjera jo. Numërimi i ahmadijjas llogarit çdo bismala më vete duke numëruar gjithsej 6326 vargje. Të tjerët arrijnë në 6214 vargje.

Ndikimi

Kurani paraqet bazën e shumë degëve të shkencave të arabistikës.

Gjuha e tij ka pasur ndikim të madh mbi zhvillimin e gramatikës arabe. Përveç fragmenteve të ruajtura deri sot të poetëve paraislamikë, arabishtja kuranike ka vlejtur dhe vlen si normë për të shprehurit korrekt gjuhësor.

Nga nevoja e shpjegimit (ekzegjezës) të përbajtjes së kësaj zbulese, u zhvillua ilm at-tafsir-i, shkenca e interpretimit (të Kuranit). Vepra komentuese të hollësishme, shpesh me shumë vëllime, janë hartuar duke filluar që nga shekulli i dytë islamik (shek. 8-të pas Kr.); ndër më të famshmet konsiderohen ato të ‘Abd al-Razzâq al-San’ânî, al-Baghavî, Ibn Abî Hâtim, TabariQurtubiRisale-i NurIbn Kathir dhe të tjerëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.