PERRALLA - 206. DRERI DHE LUANI
Dreri dhe Luani
Një dre i etur erdhi tek një burim. Ndërsa ishte duke pirë ujë, vuri re në ujë hijen e vet e filloi të mburret për brirët e vet, duke parë madhësinë e bukurinë e tyre, kurse për këmbët e veta u hidhërua që i kish aq të holla e të hajthme. Derisa ende ishte duke menduar për këtë gjë, ia bëhu luani e filloi ta ndjekë. Dreri ia dha këmbëve dhe u largua mjaft prej luanit. Për sa kohë vrapoi në fushë pa drurë, dreri vrapoi
mirë e i shpëtoi rrezikut, por kur mbërriti në pyll, në një vend me drurë të dendur, brirët iu ngatërruan nëpër degët e drurëve. Dhe pasi nuk mundi të vrapojë më, luani e kapi. Para se të mbaronte në gojën e luanit, dreri tha me vete:
I shkreti unë! Këmbët më shpëtuan, megjithse mendova se ato do të më lënë në baltë, kurse e gjeta belanë prej brirëve, tek të cilët kisha plot besim.