Akademia
Akademia është një institucion për studimin (zakonisht) e mësimeve më të hollësishme e më të thelluara, të diturive të nivelit të lartë. Emërtimi mund të tregojë një shoqëri shkencore të përkushtuar në kerkimin e fushve të shkencave natyrore, të filozofisë e arteve të bukura. Emri akademi rrjedh nga vendi i shkollës filozofike të Platonit, të themeluar rreth vitit 385 p.e.s dhe mbyllur nga Perandori Justiniani I në vitin 529, që gjendej pranë faltores së heroit (kryetrimit) Akademos në Athinë. Shqipëtarët kanë dy Akademi kombëtare atë të Shqipërisë dhe Kosovës.
Akademia e parë
Në Shqipëri fjala “Akademi” u përmend për herë të parë në vitin 1750, kur u krijua në Voskopojë e ashtuquajtura “Akademia e Re”. Në atë kohë ajo ishte njëherazi shkollë e mesme dhe një qendër kulturore e mirënjohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Ndonëse “Akademia e Re” nuk kishte as ndërtimin, as detyrat e Akademive të Shkencave në vende të tjera të Evropës, ajo ishte e lidhur me trashëgiminë dhe zhvillimet kulturore të popullit shqiptar. Pavarësisht nga fakti që Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë për shekuj nën sundime e administrime të huaja, ata mundën të mbijetonin duke ruajtur e duke zhvilluar gjuhën dhe kulturën e vet origjinale. Në shekuj nuk kanë munguar përpjekjet e shqiptarëve për të lëvruar dijet e tyre. Kontributet kulturore dhe shkencore të tyre mund të hasen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende evropiane e më tej. Ato shfaqeshin në tri fusha kryesore:
-
- Në fushën humanitare (filozofi, histori, letërsi, teologji, folklor) nga njerëz si Dhimitër Frëngu; Gjon Buzuku; Marin Barleti; Pjetër Budi; Frang Bardhi; Pjetër Bogdani; etj.;
- Në fushën e artit (nga muzikantë, piktorë dhe skulptorë) siç është Jan Kukuzeli (1010-1075) – figura më e njohur në muzikë; piktori më i njohur Onufri (shekulli XVI), piktorët e shekullit XVIII: David Selenicasi dhe Konstandin Shpataraku etj.;
- Në fushën e shkencës nga dijetarë si Gjon Gazulli (1400-1465), astronom dhe matematikan; Leonik Tomeu (1456-1531), astronom, filozof dhe profesori i Nikola Kopernikut në Universitetin e Padovës etj.