Shkenca
Shkenca (lat. “scientia” – njohuri, dituri, dije) është tërësia e veprimtarive njohëse dhe përgjithësuese, një sistem dijesh e njohurish për ligjet e zhvillimit të natyrës, shoqërisë, dukurive dhe objekteve dhe që është formuar historikisht duke hulumtuar, studiuar dhe vëzhguar botën reale e jetën, dhe duke bërë përgjithësime teorike. Ajo zakonisht mbështetet në argumente dhe njohuri ekzakte. Shkencë është edhe veprimtaria që zhvillohet në një fushë apo në një degë të caktuar të dijes, e vështruar si një lloj i veçantë pune.
Përkufizimi
Në literaturën profesionale shkenca zakonisht përkufizohet si një “sistem dijesh e njohurish për ligjet e zhvillimit të natyrës e të shoqërisë, i cili është formuar historikisht duke vëzhguar botën reale e jetën si dhe duke bërë përgjithësime teorike; sistem dijesh e njohurish të tilla për një fushë a për një degë të caktuar.” E përkufizuar në këtë mënyrë ajo paraqet një veprimtari që zhvillohet në një fushë a në një degë të caktuar të dijes, e vështruar si një lloj i veçantë i punës ose veprimtarisë.
Shkenca në kuptimin e saj më të gjerë, është njohuri bazike sistematike e normative apo praktike e cila është e aftë të rezultojë në një parashikim ose një lloj të parashikueshëm të rezultatit. Në këtë kuptim, shkenca mund t’i referohet një teknike shumë të aftë ose praktike. Në kuptim më të kufizuar dhe më bashkëkohorë të saj, shkenca i referohet një sistemi të organizuar njohurish të bazuara në metodën shkencore, si dhe në një strukture të organizuar.
Historiku i shkencës
Rrënjët më të hershme të shkencës mund të gjurmohen që në kohën e Egjiptit të Lashtë dhe Mesopotami rreth viteve 3500-3000 p.e.s. Kontributet e tyre në matematikë, astronomi dhe mjekësi ndikuan në formësimin e filozofisë klasike të antikitetit grek, me anë të së cilës u bënë përpjekje për të dhënë shpjegime rreth ngjarjeve dhe dukurive të botës fizike duke u bazuar në shkaqe natyrore. Pas rënies së Perandorisë Romake Perëndimore, njohja e konceptimeve greke të botës u dobësua në Evropën Perëndimore, kjo sidomos gjatë shekujve të pare të Mesjetës (400 – 1000) por ajo u ruajt në botën myslimane gjatë Epokës së Artë Islame. Rimëkëmbja dhe asimilimi i veprave greke dhe kërkimeve mesjetare islame në Evropën Perëndimore nga shekulli X deri XIII ringjalli “filozofinë natyrore“, e cila më vonë u transformua nga Revolucioni shkencor. Metoda shkencore luajti një rol më të madh në krijimin e njohurive dhe deri në shekullin XIX shumë nga tiparet institucionale dhe profesionale të shkencës filluan të marrin formë; krahas me ndryshimin e “filozofisë natyrore” në ” shkenca natyrore.”
Shkenca bazohet në hulumtime kërkimore – shkencore, të cilat zakonisht zhvillohen në institucione akademike, kërkimore, kompani të ndryshme, si dhe në agjenci qeveritare. Ndikimi praktik i veprimtarisë kërkimore shkencore ka çuar në shfaqjen e politikave shkencore që kërkojnë të ndikojnë në ndërmarrjet shkencore duke i dhënë përparësi zhvillimit të produkteve tregtare, armatimit, kujdesit shëndetësor dhe mbrojtjes së mjedisit.
Klasifikimi i shkencave
Klasifikimi tradicional
Shkencat moderne zakonisht ndahen në tri grupe kryesore në përbërje të së cilës hyjnë:
- Shkencat natyrore (p.sh. biologjia, kimia, fizika, etj.), të cilat studiojnë natyrën në një kuptim më të gjerë;
- Shkencat shoqërore (p.sh. ekonomia, psikologjia, sociologjia, pedagogjia, etj.), të cilat studiojnë aspekte të ndryshme të njeriut dhe shoqërisë; dhe
- Shkencat formale (p.sh. logjika, matematika, shkenca teorike e kompjuterëve, etj.), të cilat studiojnë konceptet abstrakte. Megjithatë, ekziston një mosmarrëveshje nëse shkencat formale përbëjnë me të vërtetë një shkencë ose jo, pasi ato nuk mbështeten në prova empirike.
Disiplinat të cilat përdorin njohuritë ekzistuese shkencore për qëllime praktike, siç janë inxhinieria, mjekësia, etj., përshkruhen si shkenca të aplikuara.
Klasifikimi nga OECD
Përpjekjet për të klasifikuar në mënyrë skematike sistemin e shkencave kanë rezultuar nga nevoja për të mbledhur të dhëna statistikore për dhe nga institucionet kërkimore, rezultatet e të cilave do të mund të krahasoheshin ndërkombëtarisht. Njëra nga përpjekjet e tilla është sistemi i Fushave të Shkencës dhe Teknologjisë i përpiluar nga ana e Drejtorisë për Shkencë, Teknologji dhe Industri të OECD-së në vitin 2002. Në një version të rishikuar të vitit 2007, skema e sistemit të shkencave sipas OECD duket si më poshtë:
Hulumtimi shkencor
Hulumtimi ose kërkimi shkencor mund të ndahet në hulumtim themelor ose bazik dhe hulumtim i aplikuar. Hulumtimi themelor është hulumtimi i njohurive ndërsa hulumtimi i aplikuar është kërkimi i zgjidhjeve për problemet e caktuara praktike duke përdorur ato njohuri. Megjithëse disa kërkime shkencore janë hulumtime të zbatuara për probleme specifike, një pjesë e mirë e njohjes dhe të kuptuarit tonë vjen nga aktivitetet e hulumtimeve bazike të nxitura nga kurioziteti. Një gjë e tillë ofron mundësi për përparime shkencore dhe teknologjike që nuk ishin planifikuar fare ose në zbulime të paimagjinueshme. Nganjëherë mund të ndodhë që edhe hulumtimet themelore gjatë ecurisë së tyre të marrin kthesa të papritura, gjë që mund të ndikojë në rifolmulimin dhe ndryshimin e hipotezave fillestare.
Hulumtimi kërkimoro-shkencor përfshin përdorimin e metodës shkencore, e cila kërkon të shpjegojë objektivisht fenomenet e natyrës në një mënyrë të riprodhueshme. Metoda shkencore është një proces me të cilin shkencëtarët arrijnë të njohin fenomene të caktuara duke formuluar supozime dhe duke i testuar ato përmes eksperimenteve. Në mënyrë që të ketë një karakter shkencor, metoda e hulumtimit duhet të bazohet në mbledhjen e dhënave të dukshme, empirike dhe të verifikueshme (të matshme).