Mitra (anatomi)
Mitra (Lat. Uterus) është një organ që i përket sistemit riprodhues të gjinisë femërore. Te gjitarët, roli i mitrës është të pranojë dhe të mbajë zhvillimin e embrionit (fetusit) gjatë periudhës së shtatzënisë. Mitra është një organ zgavror me formë dardhe me përmasa rreth 7.5 cm gjatësi dhe 5 cm gjerësi. Mitra përfshin një shtresë muskulore të lëmuar, të jashtme – miometrin – dhe një shtresë mukoze të specializuar, të brendshme – endometrin. Funksioni kryesor i mitrës është që të sigurojë fiksimin dhe rritjen e qelizës vezë zë pllenuar dhe ushqyerjen dhe zhvillimin e embrionit. Përfaqëson edhe një rrugë të kalimit të spermatozoidëve që tentojnë të arrijnë vezën që duhet pllenuar. Mitra vazhdon me qafën e mitrës, e cila më tej vazhdon me vaginën.