Neuroshkenca
Neuroshkenca është studimi shkencor i sistemit nervor. Tradicionalisht, neuroshkenca është shikuar si degë e biologjisë. Sidoqoftë, ajo tashmë është shkencë multidisiplinore e cila bashkëpunon me fusha të tjera si kimia, shkenca kompjuterike, inxhinieria, linguistika, matematika, mjekësia, filozofia, shkenca kognitive, fizika, dhe psikologjia. Termi neurobiologji përdoret si sinonim për neuroshkencën, megjithëse neurobiologjia i referohet specifikisht biologjisë së sistemit nervor, ndërsa neuroshkenca i referohet gjithë shkencës së sistemit nervor.
Fushëveprimi i neuroshkencës është zgjeruar për të përfshirë qasje të ndryshme të cilat përdoren për të studiuar aspektet molekulare, celulare, zhvillimore, strukturale, funksionale, evolucionare, kompjuterike, dhe mjekësore të sistemit nervor. Teknikat e përdorura nga neuroshkencëtarët gjithashtu janë zgjeruar, nga studimet molekulare dhe celulare të fijeve nervore individuale në imazherimin e proceseve senzorike dhe motorike të trurit.
Duke pasur parasyshë rritjen e numrit të shkencëtarëve që studiojnë sistemin nervor, disa organizata të shquara të neuroshkencës janë formuar për të siguruar një forum për të gjithë neuroshkencëtarët dhe edukatorët. Si shembuj, International Brain Research Organization (Organizata Ndërkombëtare për Hulumtimin e Trurit) u formua në vitin 1960, International Society for Neurochemistry (Shoqata Ndërkombëtare për Neurokimi) në vitin 1963, European Brain and Behaviour Society (Shoqata Evropiane e Trurit dhe Sjelljes) në vitin 1968, dhe Society for Neuroscience (Shoqata për Neuroshkencë) në vitin 1969.