Arsimi

Arsimi është proces i përvetësimit të njohurive, aftësive, vlerave, besimeve dhe zakoneve. Metodat arsimore përfshijnë mësimdhënien, trainimin, ligjërimin, diskutimin dhe hulumtimin e drejtuara. Arsimi shpesh bëhet nën drejtimin e arsimtarëve, megjithatë nxënësit gjithashtu mund të arsimohen vetë (vetëarsimohen). Arsimi mund të zhvillohet në ambiente formale ose joformale dhe çdo përvojë që ka një efekt arsimor (formues) në mënyrën se si dikush mendon, ndihet ose vepron mund të konsiderohet arsim. Shkenca mbi arsimin dhe mësimdhënien zakonisht quhet pedagogji.

Lidhja e arsimit me punën (intelektuale dhe fizike) ka rëndësi të veçantë sepse supozon zhvillimin e tërësishëm të njeriut gjë e cila pastaj mundëson komunikim dhe funksionim normal të njeriut në rrethin e gjërë shoqëror.

Përkufizimi

Në fjalorin elektronik të gjuhës së sotme shqipe, termi “arsim” përkufizohet si “tërësi e njohurive dhe e shprehive që jepen me sistem e sipas një programi në shkolla e kurse të ndryshme për të mësuar e për të edukuar brezin e ri dhe masat e gjera punonjëse; sistemi i shkallëzuar nëpërmjet të cilit jepen këto njohuri; përhapja e diturive në masat, si një nga fushat e veprimtarisë shoqërore, arsimim. Arsimi popullor (kombëtar). Arsimi i përgjithshëm (profesional, politeknik…). Arsimi parashkollor. Arsimi tetëvjeçar (i mesëm, i lartë). Arsimi i ditës (i mbrëmjes, me korrespondencë). Arsimi falas. Arsimi me (pa) shkëputje nga puna. Format e arsimit politik. Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Seksioni i arsimit. Inspektori i arsimit.

Në Fjalorin e pedagogjisë “arsimi” përkufizohet si “sistem i caktuar njohurish dhe shprehish të përgjithësuara në shkencat mbi natyrën, shoqërinë dhe mendimin njerëzor, që jepen në mënyrë të planifikuar dhe të programuar në institucionet arsimore (shkolla, kurse, etj.), për të mësuar dhe edukuar brezin e ri dhe masat e gjëra punonjëse; sistem i shkallëzuar nëpërmjet të cilit jepen njohuri, shkathtësi e shprehi; rezultati i përvetësimit të sistemit të njohurive, shprehive e shkathtësive i mishëruar në praktikën shoqërore.”

Sistemi arsimor në Shqipëri

Arsimi në Republikën e Shqipërisë zhvillohet në institucione shoqërore dhe private. Mësimi në shkollat fillore në Shqipëri zhvillohet në gjuhën shqipe. Institucionet shtetërore të arsimit në Shqipëri qeverisen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS). Në Republikën e Shqipërisë kanë të drejtë për arsim të gjithë shtetasit pavarësisht nga mosha, përkatësia gjinore apo etnike.

Faza e reformimit të mëtejshëm të këtij sistemi, bazuar në ligjin 69/2012, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në R. Sh” (2012 e në vijim). Në fazën e parë, u synua “pastrimi” i sistemit nga “trashëgimia” dhe ndikimet e ideologjisë komuniste. Si arritje kryesore mund të vlerësohen çlirimi i kurrikulës nga manipulimet politike dhe deformimet ideologjike, zvogëlimi relativ i ngarkesës mësimore, baraspeshimi më i mirë i dijeve, shkathtësive dhe qëndrimeve, rishqyrtimi i objektivave dhe përmbajtjeve të lëndëveshoqërore, si dhe futja e disa lëndëve të reja (informatika, edukimi qytetar) etj. Në fazën e dytë, u synua përgatitja e bazës ligjore që ligjëroi nevojën për ndryshimin e përgjithshëm. U analizua cilësia e kurrikulës dhe u njohën më mirë përvojat dhe zhvillimet bashkëkohore dhe u zbatuan projekte madhore për rritjen e cilësisë (2000-2005; 2006-2010). Ndryshimet prekën strukturën e sistemit arsimor, kurrikulën dhe sistemet e menaxhimit. Në fazën e tretë, po bëhen përpjekje që sistemi arsimor në Shqipëri të ofrojë arsim demokratik, duke marrë parasysh kërkesat e parimeve themelore të barazisë së mundësive për arsim cilësor dhe të respektimit të dallimeve individuale.

Sistemi arsimor në Republikën e Shqipërisë përfshinë këto nivele:

  1. arsimi parashkollor;
  2. arsimi bazë
  3. arsimi i mesëm
  4. arsimi universitar

ARSIMI PARASHKOLLOR

Edukimi parashkollor në Republikën e Shqipërisë është publik dhe privat. Ai përbëhet nga çerdhet dhe kopshtet. Çerdhet janë institucione në vartësi të pushtetit vendor dhe përfshijnë fëmijë të grup moshës (0 – 3) vjeç. Kopshtet janë institucione në vartësi të MAS dhe përfshijnë fëmijë të grup moshës (3 – 6) vjeç. Arsimi parashkollor nuk është i detyruar. Ka dy lloje kopshtesh, kopshte gjithëditore dhe kopshte gjysmëditore. Kopshtet funksionojnë gjatë gjithë vitit. Procesi mësimor edukativ në arsimin parashkollor zhvillohet mbi bazën e programeve edukative të miratuara nga MAS. Misioni i kopshtit është, që në bashkëpunim me prindërit, të realizojë edukimin dhe zhvillimin e personalitetit të fëmijëve dhe t’i parapërgatit ata për në shkollë. Në kopshtet që ndodhen në zonat e banuara nga minoritetet, procesi edukativ dhe mësimor zhvillohet në gjuhën amtare.

ARSIMI BAZË

Arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare. Arsimi bazë i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar. Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: Cikli fillor, (klasa I-V) dhe Cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX).

ARSIMI MESËM

Arsimi i mesëm nuk është i detyrueshëm. Arsimi i mesëm në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga Gjimnazet (me kohë të plotë dhe të shkurtuar) si dhe nga Shkollat e mesme profesionale. Gjimnazet me kohë të plotë. Gjimnazet publike japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim i njohurive e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit bazë. Kohëzgjatja e gjimnazit është 3 vjet dhe përfundon me provimet e Maturës Shtetërore. Struktura e re e gjimnazit dhe plani i ri mësimor u zbatuan për herë të parë në vitin shkollor 2009 -2010. Në planin mësimor janë përfshirë nëntë fusha si: Artet, Edukimi fizik dhe sportet,Gjuha e huaj (ose gjuhët e huaj), Gjuha shqipe dhe letërsia, Karriera dhe aftësimi për jetën, Matematika, Teknologjia & TIK, Shkencat natyrore dhe Shkencat shoqërore. Kurrikula e gjimnazit është e përbërë nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje. Gjimnazet me kohë të shkurtuar, shërbejnë edhe për arsimimin e të rriturve. Kohëzgjatja e studimeve në gjimnazet me kohë të shkurtuar, është 4 vjet dhe ato përfundojnë me dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore (MSH). Plani mësimor dhe programet kurrikulare, miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Sportit.

ARSIMI I LARTE

Arsimi i lartë në Republikën e Shqipërisë zhvillohet në përputhje me rregullat dhe parimet e hapësirës europiane të arsimit të lartë. Arsimi i lartë është publik dhe privat. Arsimi i lartë publik është laik. Shteti garanton paprekshmërinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të territorit të tyre. Institucionet e arsimit të lartë kanë autonomi dhe liri akademike. Ndërhyrja e organeve të rendit publik në mjediset akademike bëhet me kërkesën ose lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë. Vetëm në rastet e kryerjes së një krimi flagrant dhe në rastet e një fatkeqësie natyrore, organet e rendit publik ndërhyjnë edhe pa lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë. Liria akademike e institucioneve të arsimit të lartë shprehet në lirinë e mësimdhënies, lirinë e kërkimit shkencor, lirinë e krijimit. Aktualisht ekzisotjnë pesëmbëdhjetë (15) univeristet publike në rang republike që përbëhen nga fakultetet përkatëse.

Vendet më të arsimuara ne botë

Forumi Ekonomik Botëror, një fondacion jofitimprurës, ka renditur vendet më të shkolluara në botë, si pjesë e raportit të saj vjetor të Konkurrencës Globale. Rezultati i secilit vend, nga 1 deri në 7, është i bazuar në faktorët duke përfshirë normën e mesme të regjistrimit në arsim dhe shkalla e lartë e regjistrimit – që do të thotë numri i njerëzve që kanë studiuar ose në universite ose në një ekuivalent, të tilla si një kolegj etj. Rezultati më i ulët është 1 dhe më i lartë është 7. Vendet europiane dominojnë listën, edhe pse është një vend jo-europian që e kryeson atë. Në veçanti, vendet Skandinave funksionojnë shumë, pjesërisht për shkak se shpenzimet publike në rajon në përgjithësi janë shumë të larta.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.