Eskatologjia
Eskatologjia (nga greq. Εσχατολογία, es´hato – i fundit, e fundme + logia – kuptim, mësim) është një degë e teologjisë dhe filozofisë që merret me studimin e ngjarjeve të fundme (të mbrame) në historinë e botës apo fatin e fundmë të njerëzimit, zakonisht ajo nënkuptohet si fundi i botës. Pra, eskatologjia është një besim apo mësim që merret me shpresat për përsosmëri të individit dhe mbarë njerëzimit, që rrjedh nga besimi fetar; me fundin ose gjërat e fundme, si: vdekja, ardhja e dytë, ose gjykimi i fundit (ditën e gjyqit).
Në shumë fe, fundi i botës është një ngjarje e profetizuar në shkrimet e shenjta ose në folklor. Eskatologjia mund të lidhet me koncepte të tilla si Mesia ose Koha mesianike, jeta pas vdekjes dhe shpirti.
Shumë prej feve monoteiste besojnë se anëtarë “të përzgjedhur” ose “të denjë” të besimit të vërtetë do të shpëtojnë nga gjykimi i fundit dhe zemërimi i Perëndisë. Ata do të merren në parajsë ose përpara, gjatë, ose pas fundit të botës.